Lorena Duri: Rruga e suksesit kërkon përkushtim

Lorena Duri: Rruga e suksesit kërkon përkushtim

Lorena Duri: Rruga e suksesit kërkon përkushtim

Rruga e shëndetit nuk ishte rastësi për të, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për stomatologjinë.

E rritur më ëndrrën për tu bërë mjeke e përgjithshme, një përzgjedhje e gabuar në sistemin meritë-preferencë, e orientoi drejt diçkaje krejt tjetër. E megjithatë, rastësitë ndonjëherë janë “zgjedhjet” më të mira.

Flasim për mjeken sotomatologe Lorena Duri, ndonëse e re në moshë, kjo nuk e ka penguar aspak në rrugën drejt suksesit.

Sot ajo drejton një prej klinikave më të njohura në kryeqytet, “Klinika Perladent”, ku asiston me shërbim dentar për të gjitha moshat.

Por rruga e suksesit nuk është gjithmonë  kaq e lehtë, e aq më pak kur bëhet fjalë për një profesion kaq kompleks sa stomatologjia.

Por cilat janë vështirësitë që has një mjek stomatolog sot?

Çfarë e bën të veçantë dentistrinë?

Sa e ndërgjegjësuar është popullata për rëndësinë e shëndetit oral?

Të gjitha këto mund ti lexoni në intervistën më poshtë.

Të gjithë ju njohin si Dr.Lorena, por për ato duan të dinë pak më shumë. Si u gjendët në fushën e mjekësisë dhe pse pikërisht stomatologji?

Unë e kam përfytyruar gjithmonë veten time si mjeke. Që e vogël loja ime e preferuar ishte të bëja rolin e mjekes, “të shëroja njerëz”, kryesisht gjyshin (qesh) sepse ai më vinte pas avazit dhe gjithmonë me etiketonte si “doktoresha ime”.

Pra unë e kisha me shumë qejf mjekësinë, bëhet fjalë për mjekësinë e përgjithshme, por kur arriti koha të konkuroja për shkollën e lartë, sistemi i ri, meritë-preferencë, nuk ishte shumë i qartë dhe unë nuk e kuptova siç duhej. Vendosa të parën stomatologjinë, të dytën farmacinë dhe të tretën mjekësinë e përgjithshme.

Në atë kohë, stomatologjia kërkonte më shumë pikë për tu fituar dhe detyrimisht u rendita tek stomatologjia. Edhe pse me pikë i kisha fituar dy degët e tjera  më poshtë, ishte e pamundur që të zbrisja sepse e kisha listuar si preferencë të parë.

Sigurisht nuk e prita mirë sepse e shihja veten tek mjekësia e përgjithshme dhe isha skeptike, por me kohën, duke u futur në profesion, mendoj që kjo ishte gjëja më e mirë për mua. Dhe sot nuk e konsideroj më si një rastësi, por si një plan të Zotit për jetën time, sepse ai e dinte më mirë se çfarë ishte e duhura për mua.

Çfarë e bën të veçantë këtë profesion?

Stomatologjinë e bëjnë të veçantë shumë gjëra. Kur e sheh si një specialitet të mjekësisë, duket si diçka e veçuar, e vogël dhe shpesh herë njerëzit shprehen se dentistria është më e thjeshtë nga degët e tjera të mjekësisë sepse kufizohet vetëm tek dhëmbi, por në thelb është shumë më shumë se kaq. Është një pjesë shumë thelbësore  e mjeksisë dhe shëndetit, pasi siç dihet dhe pjesa më e madhe e sëmundjeve të organizmit e kanë fillesën nga goja. Pra, është një profesion kompleks sepse ke të bësh me shëndetin fizik, emocional e shpirtëror të njerëzve e njëkohësisht mund të ndikosh drejtëpërdrejtë në marrëdhëniet e tyre sociale pasi ke në dorë të rrisësh ose ulësh vetëbesimin e tyre si rezultat i punës që bën.

A mund të flasim për një mirë ndërgjegjësim të popullatës në lidhje me rëndësinë e kujdesit oral sot?

Në krahasim me kohë më përpara, sigurisht ka një rritje të ndërgjegjësimit për shëndetin oral. Ka shumë pacientë që vijnë dhe duan t’i japin një drejtim problemeve të tyre, megjithatë, fatkeqësisht në shumicën e rasteve fokusi vihet tek estetika. Sigurisht kjo është gjë e mirë por së pari, duhet të fokusohemi tek pjesa e shëndetit dhe pastaj estetikës.

Pra ka përmirësim, por mendoj që ka ende shumë për të bërë. Sigurisht së pari kjo është detyrë e dentistëve që ta promovojnë çdo ditë shëndetin oral, por edhe nga ana pacientit duhet hequr zakoni i të shkuarit tek dentisti vetëm kur ka dhimbje.

Sikurse e kemi pjesë të rutinës tonë një lyerje flokësh, një trajtim thonjsh, etj, etj..ashtu duhet të jetë dhe konsulta tek dentisti. Pra, ta bëjmë pjesë të kulturës sonë.

Cilat janë vështirësitë që mund të hasi sot një mjek dentist?

Në ditët e sotme në Shqipëri ka goxha vështirsi. E para vështirësi që unë has, është steriotipi që është krjuar për mjekët e rinj. Është për të ardhur keq që ne e gjykojmë një mjek nga sa i vogël duket në moshë, ndërkoh që ai mund të jetë  shumë i aftë ose mund të ketë dhe shumë vite eksperiencë. Pra gjykohet nga dukja dhe jo nga puna.

Vështirsia e dytë lidhet me eksperiencat e mëparshme që mund të ketë patur një pacient tek dentisti. Një eksperiencë jo e mirë i bën të jenë mosbesues dhe shumë dyshues në punën tonë të përditshme. Na duhet shumë punë për t’i bindur pacientët se në ndryshim nga shumë vite më parë sot mjekët janë më të arsimuar, teknologjia është më e përparuar dhe nuk ka më manipulime të dhimbshme, pra nuk ka asnjë arsye konkrete për të patur frikë nga dentisti.

Vëshirësia tretë, që unë has në punën time, është se njerëzit janë të fokusuar shumë tek pjesa e dukjes apo estetikës, ndërkohë që mund të kenë probleme më serioze me shëndetin oral që duhen zgjidhur si për shembull para se ti zbardhim dhëmbët duhet t’i mjekojmë ata nëse është e nevojshme, pra nëse kanë karies, infeksion etj. Kjo është një tjetër sfidë pasi të duhet t’u ndryshosh fokusin dhe jo gjithmonë është e lehtë t’ia dalësh.

Tjetër problem është se ka shumë klinika dentare të cilat ofrojnë një shërbim me standarte të ndryshme si nga ana profesionale dhe ajo e çmimit gjë e cila e bën pacientin konfuz e mosbesues.

Shumë klinika, shumë marketing, shumë informacion! Si mund të orientohet pacienti në vendin e duhur për të marrë shërbimin më të mirë?

Kjo është plotësisht e vërtetë, është e vështirë që pacienti të orientohet në klinikën e duhur për të, pra që t’i përmbushë pritshmëritë e tij. Një pacient që është në kërkim të një klinike të duhur do i këshilloja së pari të listonte kërkesat ndaj mjekut, pra të jetë i qartë me veten lidhur me atë çfarë kërkon, së dyti t’u kërkojë këshillë njerëzve që ai vërtet i vlerëson dhe beson lidhur me një klinikë dentare dhe së treti pasi e ka gjetur të ketë besim tek stafi dhe plani i trajtimit që i ofrohen. Nga eksperienca ime 90% e pacientëve të mi janë nëpërmjet rekomandimeve të miqëve të vet. Është e rëndësishme gjithashtu të jesh pacient besnik i një klinike ndër vite, sigurisht nëse nuk ke arsye konkrete për t’u larguar.

Ndodh që një larje e gabuar ta dëmtojmë dhëmbin më shumë se sa vetë moslarja?

Kur themi kujdes i përditshëm për higjienën orale nënkuptojmë jo vetëm të lash dhëmbët, por t’i lash në mënyrë cilësore. Ka pacientë të cilët përdorin një furçë të gabuar apo lëvizje të gabuar të larjes së dhëmbëve dhe kjo mund të jetë e dëmshme për dhëmbin sepse mund të dëmtojë smaltin.

Përse disa persona kanë dhëmbë shumë të shëndetshëm dhe disa jo, pavarësisht se kujdesi mund të jetë i njëjtë?

Kjo është e vërtet dhe ndodh për faktin sepse sëmundja e dhëmbëve ka etiologji shumëfaktorëshe, pra ka shumë faktorë që ndikojnë. Faktori kryesor është higjiena dhe vizitat tek dentisti, por ndikon gjithashtu gjenetika, mënyra e të ushqyerit, stili i jetesës së nënës gjatë shtatëzanisë, pozita gjeografike e vendit ku jetojmë (sasia e rrezeve te diellit), fluori në ujin e pijshëm etj.

Rregullat bazë për një kujdes të mirë oral?

Është shumë i rëndësishëm kujdesi i përditshëm rutinë. Që do të thotë: Dhëmbët duhet të lahen sëpaku dy herë  në ditë,  për të paktën dy minuta. Është shumë e rëndësishme larja në darkë, gjithmonë para se të flemë gjumë.

Duhet ta bëjmë pjesë të rutinës së përditëshme gjithashtu përdorimin e fillit dentar. Së paku një herë në ditë filli duhet të përdoret, sidomos në pacientë që kanë dhëmbë të mbivendosur ose jo të drejtë. Është e këshillueshmë që filli të përdoret para se të lajmë dhëmbët sepse kjo liron hapësirat mes dhëmbeve dhe i jep mundësi pastës që të kryej efekt më të mirë kimik.

Gjithashtu, çdo pacient duhet ta ketë pjesë të kulturës së tij mjekësore shkuarjen së paku një herë në vit tek dentisti, do ishte shumë mirë dy herë në vit.

Gjithashtu duhet ta heqë zakonin e të shkuarit tek dentisti për aq kohë sa nuk ka dhimbje sepse kjo është në dëm të shëndetit oral të tij. Neglizhenca ka gjithmonë kosto kohore, biologjike dhe monetare për pacientin.

Çfarë shërbimesh mund të gjejnë pacientët tek klinika Perladent?

Prioriteti i klinikës tonë është që të japim një shërbim të kompletuar për të gjithë pacientët. Perladent i ofron të gjitha shërbimet dentare, nga ato më të thjeshtat le të themi, deri tek ato më të nderlikuarat. Bëhet fjalë për perodontologji, protetikë, fikse dhe të lëvizshme, protetikë estetike, ortodonci, kirurgji, implantologji etj.

Stafi i klinikës është tërësisht i kompletuar dhe i specializuar për të bërë të gjithë shërbimet e mësipërme. Normalisht, përveç se kaq, ne si mjek jemi të përkushtuar që të japim më të mirën, dhe përpiqemi që të rritemi çdo ditë sepse profesioni jonë është një profesion në të cilin duhet investuar çdo ditë. Çdo ditë rritemi, përmirësohemi, aftësohemi për të dhënë më të mirën tek pacientët tanë, në mënyrë që dhe teknologjinë  që ndryshon dita-ditës ta testojmë dhe ta vëmë në  funksion të punës sonë. Dua të theksoj që kemi si qëllim jo vetëm realizimin e një shërbimi të kompletuar dhe që përmbush pritshmëritë e pacientit, por edhe të qëndrueshëm në kohë.

/Elona Tereziu/

25000onon

 

RECOMMENDED FOR YOU

Loading...

Tags: , ,

COMMENTS